Njihuni me Gerta Xhaferajn (1993, Fier), arkitekte dhe artiste vizuale që jeton dhe punon midis Bazelit dhe Tiranës. Me një praktikë multidisiplinare që përfshin fotografinë, videon, instalacionin dhe artin e zërit, ajo eksploron transformimet urbane, kujtesën dhe identitetin kulturor të hapësirave periferike. Përmes projekteve si Aesthetic Abortion, Once per Day Before Bed dhe Liminal Hymn, Xhaferaj dokumenton të padukshmen dhe të rrezikuarën – shtëpi të humbura, emocione të transformuara, trashëgimi nën kërcënim – duke i ndërthurur me një qasje poetike ku abstraktja takohet me konkrete, historikja me personale. Në Kunsttage Basel, një event i cili shtrihet në 66 hapësira nga 29-31 Gusht, ajo prezanton një praktikë që ndërthur arkitekturën me narrativën vizuale dhe dokumentare, duke reflektuar mbi humbjen, rezistencën dhe përkatësinë në një botë që ndryshon me ritme të shpejta. Një zë i veçantë i artit shqiptar bashkëkohor që fton në reflektim mbi fragjilitetin dhe forcën e identitetit urban.

