Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakë përkujtimore në bulevardin “Saint-Michel”. Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim historik për të nderuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, me vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel, ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të bukura të letërsisë së tij. Vendimi u miratua njëzëri nga Këshilli Bashkiak i Parisit, si një homazh i gjallë dhe emocionuespër kolosin e letrave shqipe dhe, nëpërmjet tij, për kulturën shqiptare. Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX. Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Pallati i ëndrrave, Koncert në fund të dimrit.
