Fatalita, produksioni i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ngjitet në skenën prestigjioze të Teatro Massimo në Palermo, duke shënuar një moment të veçantë në rrugëtimin ndërkombëtar të një shfaqjeje të lindur në Tiranë. Kushtuar katër grave ikonike të letërsisë dhe operës botërore, vjen një tribut koreografik që risjell fuqishëm zërin e gruas në histori përmes lëvizjes. Shfaqja është krijuar nga Toni Candeloro, ideuar nga Enada Hoxha, me pjesëmarrjen e Edlira Qyshkës (kostumografi) dhe Florian Cangës (video design).





