“Kujtesa e Lëkurës” – ekspozita e re e artistit dhe kuratorit Oltsen Gripshi, nën kujdesin kuratorial të Rosanna de Cicco, do të zhvillohet më 18–28 shtator 2025 në Museo del Sannio, Benevento, Itali. Përmes instalacioneve, video art-it, fotografisë dhe pikturës mbi kanavacë, Gripshi eksploron një koncept që bashkon filozofinë, neuroshkencën, psikologjinë dhe letërsinë: lëkurën si një “tekst” të gjallë, ku mbarten kujtimet, përvojat dhe identiteti ynë i brendshëm. Oltsen Gripshi mban titullin Doktor i Shkencave në Historinë e Artit Shqiptar dhe është themelues i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit. Veprat e tij kanë qenë pjesë e ekspozitave të rëndësishme në Shqipëri dhe jashtë saj, duke e pozicionuar si një zë të veçantë në artin bashkëkohor. Mbështetur nga Bashkia e Beneventos, Krahina e Kampanjës, Ministria e Kulturës së Italisë dhe festivali i artit bashkëkohor “StregArti”, kjo ekspozitë ngre pyetje thelbësore mbi trupin, ndërveprimin shoqëror dhe kufijtë e identitetit. Një ftesë për të lexuar artin si një reflektim të thellë mbi kujtesën, lëkurën dhe qenien.








