U hap sot në Romë “No Man is an Island”, projekti më i ri i artistit Adrian Paci. Një ekspozitë që na fton të reflektojmë mbi humanizmin, përgjegjësinë e përbashkët dhe përvojat që na afrojnë – përmes një rrëfimi vizual mbi udhëtimin dhe fuqinë transformuese që ai mbart. Titulli vjen nga vargjet e John Donne, që na kujtojnë se askush nuk është një ishull i veçuar, por pjesë e një bashkësie më të gjerë njerëzore. Paci ndërton një narrativë ku udhëtimi bëhet hapësirë reflektimi për përkatësinë, ndërlidhjen dhe sfidat e kohëve tona. Në inaugurim morën pjesë: Zëvendësministrja Lira Pipa, Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri dhe Ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë Majlinda Frangaj.


