Rubin Kadiu, artist vizual që ndërthur mediume të ndryshme mes fotografisë dhe grafikës, sjell në Paris ekspozitën e tij më të fundit “Send Me a Muse”, që hapet më 4–13 tetor 2025 në La Maison de l’Albanie, Francë. Në këtë ekspozitë, artisti reflekton mbi kufirin mes marrëdhënieve virtuale dhe atyre reale. Çdo punë është një ftesë për të menduar mbi mënyrën se si ndërtojmë lidhje, ndajmë emocione dhe krijojmë identitet përmes botës digjitale. Ekspozita është kuruar nga Ena Bulku, e cila përmes vizionit të saj sjell në vëmendje procesin e veçantë krijues të artistit, ku rastësia shndërrohet në një hapësirë për reflektim estetik dhe eksplorim të thellë personal.

